Itali: Në orvatje për të shpëtuar djalin, bie nga kati gjashtë…. babai vdes, 4 vjeçari shpëton mrekullisht

Një tragjedi e vërtetë. Jeta e një 38 vjeçari e këputur në mes e në fund një “mrekulli e vogël”, vogëlushi 4 vjeçar për të cilin babai u sakrifikua, mundi të shpëtojë.

Ngjarja ka ndodhur në Palermo të Italisë fqinje, në rrugën Ausonia. 38 vjeçari i quajtur Giovanni Minafo, me profesion inxhinier dhe pedagog universiteti, pa të birin e mitur i cili i ishte afruar ballkonit dhe po varej mbi të. Babai vrapoi të kapë të birin, por nuk mundi ta arrijë në kohë. Të dy babë e bir ranë nga kati i gjashtë i banesës. 38 vjeçari ra në tarracën e një restoranti aty poshtë dhe mori lëndime kritike. Ai u dërgua në spital, por s’mundi dot t’i mbijetojë plagëve.

Vogëlushi 4 vjeçar po ashtu ra pranë tarracës së restorantit, por mrekullisht shpëtoi thuajse pa asnjë lëndim. I mituri ra në disa panele prej sfungjeri. 4 vjeçari u mor menjëherë nga fqinjët e personat që ndodheshin aty pranë dhe u dërgua në spital.

Media italiane ka sjellë po ashtu dhe rrëfimet e disa prej dëshmitarëve okularë. Mes tyre, ajo e një luleshitësi në cepin e pallatit për të cilën media italiane shkruan se ai duket sikur nuk po gjen paqe e qetësi shpirti.

“Ngjarja ndodhi pasdite, të gjithë erdhën këtu, ambulanca, zjarrfikësit, policia… unë këtu punoj prej vitesh dhe e njihja profesorin, ishte një njeri i shkëlqyer. Ai burrë po përballej me vuajtje, sepse pak kohë më parë i kishte ndërruar jetë e shoqja”-tregoi luleshitësi.

“Dëgjova dikë që bërtiste nga një ballkon tjetër, dëgjova klithma dhe të bërtiturat e fqinjëve… jam i tmerruar, nuk do ta harroj kurrë këtë. Unë punoj si portier në një prej pallateve këtu pranë”-tregoi një tjetër.

“Ai burrë po jetonte me tragjedinë e tij në familje, por mbi të gjitha, ai mendonte e kujdesej për të birin… në mëngjes e takova me djalin, I përshëndeta, e si përherë shkëmbyem një buzëqeshje. Nuk e mendoja kurrë se do i ndodhte diçka e tillë”-tregoi një fqinje e të ndjerit.