Itali: Nëna shqiptare hidhet nga ballkoni për t’i shpëtuar dhunës së të shoqit

Një ngjarje e trishtë ka ndodhur në Bolonja të Italisë fqinje, atje ku një grua me origjinë nga Shqipëria, është hedhur nga ballkoni i katit të dytë, për t’i shpëtuar dhunës së të shoqit.

Media italiane shkruan se nëna shqiptare, u transportua në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Sherri mes të rinjve në të dyzetat nisi në mbrëmje dhe ishte një ndër të shumtat përplasje, sipas dëshmive të fqinjëve. Burri e ka qëlluar të shoqen me shuplaka e grushte në sy të fëmijëve të tyre të vegjël, derisa kjo e fundit në një akt të dëshpëruar për t’i shpëtuar dhunës, është hedhur prej ballkonit.

Kanë qenë fqinjët të cilët kanë lajmëruar policinë dhe ambulancën. Gruaja në të tridhjetat u dërgua me urgjencë në spital. Është gjallë, por gjendja e saj paraqitet e rëndë, shkruan media italiane, e cila shton se sipas hetimeve, gruaja ka ndërmarrë aktin nga frika se do të vritej nga i shoqi.

Burri ndërkohë (edhe ai shqiptar), u arrestua nga autoritetet dhe do të përballet me akuzën e “tentativës për vrasje”. Hetuesit po presin momentin e duhur për të marrë dëshminë e nënës së dy fëmijëve, ndërsa fqinjët treguan për median se çifti jetonte prej vites në zonë, ndërsa gruaja ishte e sjellshme me të gjithë. Nga ana tjetër i shoqi dyshonte se gruaja e tradhëtonte e prej kohësh kishte nisur ta dhunonte rëndë fizikisht.

Media italiane niset nga ky rast i fundit për të shkruar se fenomeni i dhunës ndaj gruas, është bërë një problem akut në të gjithë shoqërinë italiane. Në vitin 2022 në Bolonja vetëm, janë regjistruar mbi 1100 rastë të dhunës ndaj grave.

Burimi: Il Resto del Carlino/ Përshtati: Fch.al