Itali: Përleshje mes grupit të shqiptarëve e egjiptianëve, 7 të plagosur në spital, njëri në gjendje të rëndë

Një sherr i madh ka ndodhur në një qytezë të Lombardisë, ndërsa protagonistë janë një grup të rinjsh shqiptarë që janë përleshur me një grup egjiptianësh. Si pasojë e sherrit ku janë përdorur edhe armë të ftohta, ka patur 7 të plagosur. Një prej tyre, raporton media italiane, ka marrë plagë të shumta dhe ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ngjarja ndodhi në qytezën e quajtur Stradella, mesnatën mes të shtunës e të dielës në rrugën ‘Pozzone’.  Në vendin e ngjarjes kanë ardhur disa patrulla të policisë e ambulanca. Ende e paqartë arsyeja se përse dy grupet janë përplasur, teksa media vendase thonë se duket si një ‘larje hesapesh’ mes tyre.

I plagosuri në gjendje të rëndë është një 25 vjeçar shqiptar, goditur disa herë me thikë. I riu banues në Montu Beccaria u transferua me urgjencën në spital dhe vijon ende të qëndrojë nën kujdesin e mjekëve.

Të plagosurit e tjerë i përkasin grupit egjiptian, dhe kanë mosha nga 22 deri në 53 vjeç. Edhe këta të fundit u përcollën në spitale të ndryshme, dhe sipas asaj që raporton media italiane, kanë pësuar lëndime dhe nxirje në trup. Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se grupi i egjiptianëve i përket të njëjtit rreth familjar.

Policia vijon hetimet për të zbardhur ngjarjen. Hetuesit thonë se një sërë personash që ishin pjesë e sherrit kanë mundur të largohen para mbërritjes së policisë.