Itali: Pllaka e betonit shkëputet, zë përfund punëtorin shqiptar… 55 vjeçari ndërron jetë në vend

Një 55 vjeçar shqiptar ka gjetur vdekjen teksa punonte me lëvizjen e disa pllakave të betonit. Ngjarja ndodhi në Frascineto të Kalabrisë në Italinë fqinje. Media vendase shkruan se viktima është identifikuar si Edison Malaj, baba e kryefamiljar.

Malaj po ngarkonte disa prej pllakave të betonit në  kamion për një punë restauruese në qytezën e Castrovillari, në momentin kur një prej kabllove mbajtës lidhur me vinçin është shkëputur. Një prej pllakave të betonit e ka goditur dhe shtypur 55 vjeçarin.

Mbërritja e ambulancës dhe orvatjet e mjekëve të urgjencës kanë qenë të kota. 55 vjeçari ndërroi jetë në vend. Prokuroria atje ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen si dhe ka kërkuar kryerjen e një autopsie mbi trupin e të ndjerit.

Të shumtë shqiptarët atje që e kanë përcjellë me dhimbje e trishtim humbjen e 55 vjeçarit.

“Komuniteti Shqiptar në Castrovillari të Cosenzës në dhimbje të madhe,për humbjen e madhe të një shoku,një miku një bashkeatdhetarë Edison Malaj (Edi) siç i thërisnim, i cili humbi jetën në punë ditën e djeshme mbasdite. Edi një djal punëtor si të gjithë ne , një djalë i respektuar me çdo njeri, një baba dhe me një familje e shkëlqyer. Komuniteti Shqiptar është pranë familjes, dhe kërkon sbardhje e aksidentit që i mori jetën bashkeatdhetare tonë.”-thuhet në një profil në rrjetin social të komunitetit shqiptar në Kalabri.