Një krim i rëndë në familje që u pa nga dy fëmijë të vegjël të moshave 4 e 6 vjeç. Kështu ka ndodhur në një familje shqiptare që jeton në Caserta të Italisë fqinje, atje ku kryefamiljari 30 vjeçar i ka marrë jetën të shoqes.
Shqiptari i identifikuar në median vendase si Lulzim Toci, vrau bashkëshorten 24 vjeçe me emrin Eleonora, shqiptare po ashtu, në sy të dy djemve të tyre të mitur.
Krimi i rëndë ndodhi mëngjesin e të mërkurës (9 tetor) rreth orës 05:00 në San Felice të Casertës. Pas vrasjes, autori ka shkuar në shtëpinë e kunatës së tij, duke i kërkuar që ta shoqëronte në spital. Gruaja ka dyshuar se diçka ka ndodhur dhe ka telefonuar nipat.
“Babi vrau mamin” i kanë thënë fëmijët tezes, e cila e tronditur ka kontaktuar me policinë. Në momentin kur patrulla ka mbërritur në shtëpinë e kësaj të fundit, 30 vjeçari endej pranë shtëpisë së kunatës në gjendje shoku. 30 vjeçari është prangosur atje dhe dërguar në komisariat.
Ende nuk dihet motivi i krimit. Lulzim Toci rezulton ta ketë mbytur me duart e tij të shoqen 24 vjeçe.