Itali: Shqiptarja i shpëton aksidentit me makinë, por goditet për vdekje në rrugë nga një makinë tjetër

Një 27 vjeçare shqiptare ka humbur jetën në mënyrë tragjike në Breshia të Italisë fqinje, teksa udhëtonte si pasagjere në një makinë.

Siç raportojnë mediat vendase, Adela Xhaferri është përfshirë në një aksident. Makina ku ajo ndodhej si pasagjere ka humbur kontrollin dhe ëshë përplasur me barrierat anësore.

Pavarësisht aksidentit të rëndë, Adela dhe shoferi, arritën t’i shpëtojnë pa pasoja të rënda aksidentit.  Por menjëherë pas aksidentit, me të dalë nga makina, Adela është goditur nga një tjetër makinë. Përplasja i ka marrë jetën 27 vjeçares.

Media italiane shkruan se shoferi i makinës që përplasi për vdekje të renë nuk ka patur kohë të reagojë për të shmangur përplasjen. Aksidenti rëndë ka ndodhur në autostradë, pranë zonës së Travagliato-s. Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes, më 6 dhjetor.