Itali: Vdekja tragjike e kamionistit shqiptar, prej mjegullës u përplasën afro 100 makina, 30 të plagosur

Një 43 vjeçar shqiptar ka humbur jetën në autostradën A22 në Reggio Emilia të Italisë fqinje. Shqiptari i identifikuar si Luçjan Marku, banues në Torrile të Parmës, po drejtonte një kamion të tonazhit të rëndë kur është përplasur me një tjetër kamion në autostradë.

Aksidenti ndodhi në orët e mesditës të së hënës, në afërsi të Campogalliano. Për dërgimin e 43 vjeçarit në spital u ndërhy me helikopter, por orvatjet për shpëtimin e Markut ishin të kota. 43 vjeçari shqiptar ndërroi jetë sapo u nxorr prej kamionit.

E aksidenti ku u përfshi i ndjeri, ishte vetëm një ndër të paktën 8 aksidentet që ndodhën në një sektor të autostradës atje, e cila u përfshi për disa orë nga një mjegull e dendur. Në një segment prej afro 5 kilometrash, mjegulla ishte aq e dendur saqë në median italiane është konsideruar si ‘mur’. Për shkak të vështirësisë në shikueshmëi, aksidenti i parë ndodhi që në mëngjes. Një kamion që transportonte gjë të gjallë (bagëti) përfundoi duke u përplasur mes dy karrexhatave, duke u bërë kështu një pengesë e dytë për makinat që vinin pas. Pas kamionit u përplasën një seri me makina, duke lënë të lënduar disa persona.

Numri i aksidenteve zinxhir vijoi të shtohet deri në orët e mesditës, kohë kur mjegulla tanimë ishte larguar, por jo kaosi në rrugë.

Numri total i të plagosurve ka arritur deri në 30 persona. 17 prej tyre u dërguan me urgjencë në spital, ndërsa 2 të plagosur janë në gjendje të rëndë. Sipas medias italiane, 100 automjete u përfshinë në aksidentet zinxhir të ndodhura mes orës 08:00 të mëngjesit deri në orën 11:54 të mesditës.