“Jam me bashkëjetuesin, mos bëni denoncime në polici” Flet motra e shqiptares që u vra nga i shoqi në Athinë

Pasditen e të enjtes (5 dhjetor) Kastriot Cenko lajmëroi policinë, duke u treguar se kishte vrarë të shoqen dhe se trupi i saj ndodhej në banesë.

E ndjera, Alba Cenko, nënë e dy fëmijëve të mitur, ishte vrarë nga i shoqi afro 1 javë më parë. Trupi i saj ishte lënë në papafingo.

Kjo ishte vrasja makabre që tronditi Athinën, ndërsa tanimë të tjera të dhëna kanë nisur të dalin në dritë.

Mbi vrasjen, ka folur një nga 3 motrat e viktimës. Ajo tha për Tch se Kastrioti pasi ka vrarë bashkëshorten, ka nisur t’u shkruajë mesazhe të motrave, në mënyrë që të mos ngriheshin dyshime.

Rrëfimi:

“Përveç se arritën faktit në këtë konkluzion, do ketë pasur diçka. Herë pas here më thoshte që ishte e mërzitur dhe e shqetësuar.

Kishin 13-14 vite bashkë. Kishin dy fëmijë. Një 12 dhe tjetrin 9 vjeç. Fëmijët nuk janë në dijeni. Për momentin ndodhen te xhaxhallarët e tyre, vëllezërit e autorit. Prej 6 vitesh qëndronin në Greqi. Merreshin me punë të ndryshme, duke sakrifikuar.

Kunati ishte një tip që rrinte në heshtje. Punonte shumë. Të ardhura financiare sillte motra ime në shtëpi. Ajo bënte punë të ndryshme, hekurosje, parkete, spital.

Xheloz? Nuk e di. Motra nuk më thoshte që ishte xheloz. Nuk shprehte shenja xhelozie. Nuk e di ç’ndodhi kohët e fundit që dolën gjithë këto gjëra, që ka të dashur, që kishte ikur me tjetrin.

Kemi komunikuar. E pyesnim ç’po bënte. I thonim si ka ikur me një tjetër dhe ai nuk kishte dijeni. Si mund të ikte nëna e dy fëmijëve me një tjetër dhe policia mos të dinte gjë.

Ne ishim të gjitha në kontakt me të dhe na lindi dyshimi të gjithave. Thoshte që ka ikur me dikë tjetër, më ka lënë. Ne i thonim edhe nëse të ka lënë, ai të shkonte në polici.

Tradhti? Ishte mendimi i tij. Ne nuk mund të themi jo se ishte motra jonë. Por më parë nuk na i kishte shprehur këto shqetësime. 14 vite martesë, ne katër motra duhet të na thoshte diçka. Ta dinim dhe ne ku ishte problemi. Na thoshte herë pas here që kishte ikur me dikë tjetër. Na shkruante me telefonin e motrës që kam ikur me tjetrin. Ndërkohë i shkruante dhe fëmijëve me telefonin e së ëmës dhe i thoshte që kujdesuni për babin.

Vëllezërit dhe nëna e tij, që kohët e fundit ka shkuar në Greqi, por nuk jam e sigurt që rrinin te shtëpia e tyre. Këta kanë pasur marrëdhënie të mirë me njëri-tjetrin. Kjo më bën përshtypje, si këta që prej 7 ditësh, motra ime e mbyllur në papafingo, nuk kanë zbuluar gjë. Këta vëllezërit nuk e shtynin dot vëllain e tyre?

Edhe unë po të isha do shkoja te një njeri i afërm i imi. 7 ditë e mbyllur, këta nuk hapnin dot diçka. Kontakte kanë patur mendoj.

Jemi komplet motra vëllezër të rënduar për këtë rast që na ka ndodhur.

Ajo ishte e çiltër, e qeshur, e dashur me të gjithë, punëtore, nuk prishte fjalë me asnjë njeri. Nuk mund të them që kishte marrëdhënie të mirë me burrin, sepse për sa kohë arriti deri këtu, nuk besoj se kanë shkuar mirë. Që të arrish deri këtu duhet të ketë pasur diçka në mes.

Do të lutesha shumë që të më ndihmoni që të kthejmë trupin e motrës sonë në familjen tonë. Nuk kemi mundësi ekonomike, kërkojmë që të na e sjellin”, tha motra e viktimës.