Prej tre javësh qëkur u diagnostikua me leuçemi agresive, shpresat sa vinin e shuheshin. Sëmundja avanconte, ndërsa hemorragjia dhe dhimbja bëheshin më të shpeshta, më të forta.
Ky ishte realiteti në të cilin ndodhej Albjona, një vajzë 12 vjeçare nga Postriba e Shkodrës. Pranë saj nëna e babai, të cilët ishin dorëzuar përpara sëmundjes dhe pamundësisë së tyre për të bërë diçka për vajzën.
Të dhimbshme fjalët e babait të Albjonës, i cili për tre javë me radhë i kaloi netët në të ftohtë, duke u endur në lulishtet pranë spitalit të kryeqytetit. I vetmi shoqërues për të ishin dëshpërimi dhe lotët.
Por falë Zotit ka shqiptarë me zemër të madhe. Përmes thirrjes në “Për Shqiptarët”, sot prindërit e 12 vjeçares mund të marrin frymë më të qetë. Vajza e tyre buzëqesh pas mëse 3 javësh, ndihet e lumtur sepse mijëra e mijëra shqiptarë i dhanë asaj një dhuratë të paçmuar… mundësinë për t’u kuruar, shansin për të bërë betejë e për të fituar mbi sëmundjen që e ka prekur. E gjithë kjo, u bë e mundur brenda 24 orëve.
Këto janë momentet kur Albjona niset drejt Italisë fqinje, në spitalin ‘Bambino Gesu’, teksa në pistën e avionit e pret Fatma e Elvis Naçi.