Japonia goditet nga një tërmet 7.6 Rihter, qindra mijëra paralajmërohen për tsunami

Japonia është goditur nga një tërmet i fuqishëm me një magnitudë prej 7.6 Rihter, ndërsa lëkundjet kanë sjellë ngritjen e alarmit për tsunami në thuajse të gjithë brigjet perëndimore të vendit.

Epiqendra e tërmetit ka qenë në gadishullin e Noto-s, në prefekturën Ishikava. Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, tërmeti ka qenë më i larti i regjistruar ndonjëherë në të gjithë historinë e kësaj zone, qëkur nisën matjet e tërmeteve atjë më 1885.

Video e shpërndara në rrjetet sociale janë të shumta, teksa njerëzit në panik përballen me lëkundje tejet të forta. Në disa zona pranë epiqendrës toka është çarë, ndërsa mijëra e mijëra kanë lënë shtëpitë.

Duke iu referuar disa zyrtarëve në institucionet e specializuara, BBC-ja shkruan se tërmeti ka rritur ndjeshëm dhe rrezikun e rrëshqitjeve të dherave dhe rënies së zjarreve në zonat e prekura. Autoritetet kanë lajmëruar qindra mijëra njerëz që jetojnë pranë brigjeve perëndimore të Japonisë, që të lënë shtëpitë dhe të ngjiten në vend të larta. Po sipas tyre, shkruan BBC-ja, pritet që valët e tsunamit të jenë deri në 5 metër të larta. Deri më tani valët më të larta që janë regjistruar kanë qenë mbi një metër.

Në një prej qyteteve (Sozu) që ndodhet pranë epiqendrës, ka raportime se një seri me ndërtesa janë rrëzuar. Në të gjithë prefekturën janë pezulluar udhëtimet me trenat e shpejtë. Autoritetet përgjegjëse për centralet bërthamore kanë raportuar se nuk ka patur dëme prej tërmetit.