Javën e ardhme takim Prishtinë- Beograd, Borrell e cilëson si ‘arrestim’ rrëmbimin e tre policëve kosovarë

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrell, deklaroi se javën e ardhme në Bruksel do të ftojë në një takim të nivelit të lartë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, një takim që do të shtrojë në tryezë problematikat e kohëve të fundit.

“Duke parë situatën që po përkeqësohet çdo ditë, ne jemi në një gjendje të menaxhimit të krizave. Do t’i ftoj të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, për një takim për menaxhim krize këtu në Bruksel javën e ardhshme”, ka deklaruar ai para gazetarëve.

Në lidhje me rrëmbimin e tre oficerëve të policisë së Kosovës nga ana e forcave speciale serbe, Borrel tha se është në dijeni të “arrestimit” të policëve dhe se po përpiqen të kuptojnë se çfarë ka ndodhur saktësisht.

“E dini se ka ndodhur një incident me arrestimin e tre policëve nga Kosova dhe po përpiqemi të kuptojmë se çfarë ka ndodhur saktësisht. Jemi në kontakt të ngushtë me Komandën e KFOR-it dhe me të dyja palët, në mënyrë që të shohim çfarë saktësisht ka ndodhur që ka çuar deri te ky arrestim”-tha Borrell

Kujtojmë se ditën e djeshme tre oficerë të kufirit u rrëmbyen në zonën e njohur si Bare në Kosovë. Ndërkohë Serbia deklaroi se i ka arrestuar policët e Kosovës në brendësi të territorit të saj, në zonën e Gnjillica, në Rashkë.

Në lidhje me fatin e tre oficerëve ende nuk dihet gjë.

Sot në orët e mesditës u liruan 4 qytetarë shqiptarë, të cilët u ndaluan nga policia serbe në Merdare.