Javier Milei, kush është Presidenti i ri i Argjentinës që del me sharrë në dorë

Të shumtë janë ata që e thërrasin “Ëolverine”, si personazhi i njohur i filmave vizatimorë “X-Men”. Disa të tjerë i drejtohen duke i thënë ‘Njeriu Sharrë’, ndërsa disa të tjerë si Donald Trumpi i Argjentinës.

Por që prej ditës së djeshme, Javier Milei, është Presidenti i të dytit vend me ekonominë më të madhe në Amerikën Jugore. Me votimin tashmë të përfunduar, Javier Milei ka arritur të bëhet Presidenti i Argjentinës, në një ndër garat më të pazakonta që ka parë ndonjëherë vendi atje.

Shumë media të njohura, mes tyre “The Guardian”, i kanë kushtuar analiza figurës dhe stofit të pazakontë të Presidentit të ri.

Milei u zgjodh në kongres dy vite më parë dhe u përfshi në garën presidenciale në mesin e zemërimit të votuesve për korrupsionin e keqmenaxhimin e vendit. Si ekonomist e komentator politik, shfaqjet e Milei tërhoqën vëmendjen e shoqërisë, e në veçanti premtimet e tij të pazakonta.

Milei deklaronte se nëse do të zgjidhej në krye të shtetit, do të ‘sharronte’ korrupsionin dhe shtetit e tejfryrë të Argjentinës, për t’i lënë krah të lirë kapitalit dhe sipërmarrjes private.

“Vota për të përfaqëson një përpjekje të dëshpëruar për diçka të re, çfarëdo që të ndodhë. Opsioni që [votuesit kishin] ishte: ose të njëjtat kushte katastrofike ekonomike ose një bast radikal për një të ardhme potencialisht të ndritshme, por me shumë rreziqe negative”, tha për “The Guardian” Benjamin Gedan, një specialist argjentinas nga qendra “Ëilson” .

Mes premtimeve të pazakonta të Milei-t, janë legalizimi i shitjes së organeve njerëzore, shkrirja e Bankës Qendrore të Argjentinës, heqja e valutës vendase (pesos) dhe futja e dollarit si dhe ‘shfarosja” e inflacionit që ka kapluar vendin.

Në analizën kushtuar figurës së Milei-t, “The Guardian” shkruan se Presidenti ka 5 qenë të klonuar të racës mastiff, të cilëve u ka vënë emra ekonomistësh të njohur.