“Je superhero im” Historia e dy vëllezërve të mitur, 7 vjeçari shpëton të vëllanë 13 vjeçar


Disa muaj më parë familja Pipkins kishte dalë në një park të qytetit për të kaluar disa orë me fëmijët. Nëna e dy djemve, vuri re se djali i saj i madh Preston (13 vjeçar) kishte ftohtë edhe pse jashtë temperaturat ishin të larta.
Instikti i nënës e shtyu gruan që ta çojë të birin për një vizitë dhe skaner, pasi ajo parandjente se diçka nuk shkonte me djalin. E me të vërtetë, skaneri tregoi se Preston ishte i prekur nga leukemia.

“Ajo ishte dita më e vështirë e jetës ime”-shpjegoi për NBCnews Rejçëll, nëna e 13 vjeçarit.

Që nga shtatori kur u zbulua sëmundja, familja u përbale me sprovën, ndërsa Preston nisi terapitë. Mjekët i shpjeguan prindërve se fëmija i tyre kishte nevojë për një transplant të palcës kurrizore. Nisi puna për gjetjen e një donatori që do t’i përshtatej 13 vjeçarit… pavarësisht kërkimeve, për Prestonin nuk u gjet një përputhje.
Por situata ndryshoi kur testin e përputhshmërisë e kreu i vëllai 7 vjeçar, i quajtur Kameron. Vogëlushi kësisoj iu nënshtrua ndërhyrjes për të dhënë nga palca e tij kurrizore për të vëllanë 13 vjeçar.

Në median amerikane pak ditë më parë, një video e familjes preku publikun. Dy vëllezërit po diskutonin mbi ndërhyrjen, ndërsa 7 vjeçari i thoshte Prestonit, se nuk mendonte se do të bënte ndonjë gjë të madhe. I buzëqeshur, 13 vjeçari i shpjegon vëllait të vogël se gjesti i tij do t’i shpëtonte jetën.

Ndërhyrja shkoi me sukses dhe tashmë dëshira më e madhe e dy vëllezërve, është të lënë spitalin e të shkojnë në shtëpi… kësaj here me një ndjenjë dashurie e vëllazërie edhe më të fortë se më parë.