Jeta hidhur e gjysh Bardhit: Djali dhe e shoqja i ndërruan jetë… sot ai kujdeset për të bijën e intubuar në spital

Historia e këtij të moshuari është një nga ato histori, e cila nëse do të bëhej film, do të duheshin disa seri për ta treguar. Gjysh Bardhi është 84 vjeç dhe prej afro 8 ditësh nuk ka ngrënë. E ka mbajtur frymën me ujë, sepse ato pak para të pensionit i duhen për fëmijët e vajzës.

Vajza e të moshuarit ndodhet në spital në Tiranë, ndërsa gjysh Bardhi vjen nga fshati Mesaplik i Vlorës. Ai bën rrugë për të takuar të bijën, e cila ndodhet në gjendje të rëndë, me aparatet që i japin oksigjenin.

Të dy bashkë, flasin vetëm përmes mesazheve me shkrim, në recetat e shumta mjekësore që janë shkruar për vajzën e gjysh Bardhit.

Por historia e dhimbshme e gjysh Bardhit, nis vite e vite më parë. Një ndër fëmijët e të moshuarit, djali i tij, humbi jetën si pasojë e një aksidenti. Kjo ishte goditja e parë për të moshuarin. Ai u përpoq të bëhej i fortë, por sprovat nuk do të ndalonin këtu. E shoqja i ndërroi jetë. Nuk mundi ta përballojë dot humbjen e djalit.

Vitet kaluan dhe dy fëmijët e tjerë të gjysh Bardhit u martuan. Vajza e tij, Marjeta, solli në jetë mbesën dhe nipin e gjysh Bardhit. Kësaj here, sprova i ra Marjetës. I shoqi e braktisi.

Gjysh Bardhi ndihmoi të bijën, mbesën e nipin. E këtu, erdhi mbase goditja më e madhe për gjysh Bardhin. Marjeta u sëmur. Një sëmundje e rrallë në mushkëri, e dërgoi në spital. Ditët kaluan, e sëmundja avancoi aqsa Marjeta nuk kishte më mundësi të merrte frymë e vetme.

Sërish ky i moshuar, u bë i fortë. Qendroi në këmbë dhe nuk u rrëzua. Sot ky 84 vjeçar, fle nëpër korridoret apo stolat e spitaleve dhe nuk dorëzohet.

“Derisa të ketë frymën, do i rri pranë vajzës”-tha gjysh Bardhi në “Për Shqiptarët”…