“Jeta ime ka qenë plot sakrifica, por desh Zoti… shqiptarët më bënë me banesë”

“Unë quhem Naim Tahiri, jam i lindur në fshatin Dumnicë. Vij nga një familje dëshmorësh. Kam humbur babain e vëllanë në luftë. Kam jetuar i vetëm, vetëm atë vëlla kam patur… me fëmijët e vëllait të vegjël e me bashkëshorten e fëmijët e mi.”

Këto janë fjalët e një shqiptari të Kosovës, jeta e të cilit nuk ka qenë aspak e lehtë, por përkundrazi, një e tatëpjetë e vështirë dhe e stërmundimshme. Naimi tregon se të vetmin burim të të ardhurave ka patur punën e tij, puna e cila duhej të mbante fëmijët e jo vetëm.

“Të vetmin burim të të ardhurave e kam pas një pagë minimale nga puna që kam bërë. Jetesa ka qenë tepër e vështirë, tepër sakrifikuese. Që nga ’99 e deri më sot, i kam ndërruar 7 vendbanime.”-tregoi Naimi.

E duke parë kushtet e tij tepër të vështira, Naimi ishte një ndër 22 familjet të cilat u bënë me banesa të reja në Podujevë, atje ku Fondacioni “Firdeus” ndëroi 22 shtëpi për 22 familje në nevojë. Naimi tregon i përlotur, momentin kur mësoi se do të bëhej me banesë të re.

“Ka dashur Zoti, që me mbaru këto shtëpia, u ndanë… (përlotët) kam qenë shumë i lumtur që njërën ma dhuruan edhe mua.”-tha Naimi.