“Jeta jonë ka 3 ditë që ka përfunduar. Ishte si një rrufe në qiell të hapur”
Këto janë fjalët e një nëne që prej mëse 3 ditësh, në kokë i buçet sëmundja e rëndë që po ia rrezikon jetën të birit 13 vjeçar.
Noeli vogël, futbollist me moshat e reja në skuadrën e Apollonisë, po bënte stërvitje pasdite kur papritur një krizë e fortë në kokë e rrëzoi përtokë. Prej 3 ditësh ai gjendet në spital. Analizat treguan se ka tumor në kokë.
E prej tre ditësh, Artani e Eralda, babai e nëna e Noelit, nuk dinë më se çfarë të bëjnë. Mes lotëve ata tregojnë se bota sikur ka përfunduar për ta. Sikur jeta e tyre ka qenë veçse një kështjellë rëre që u rrëzua pas lajmit të hidhur për sëmundjen e djalit.
“Jeta qenka një kështjellë rëre, asgjë nuk vlen më në jete për një prind kur merr vesh për fëmijën… jemi në shok. Unë kam 3 ditë që jetoj me frikë. Noeli rrezikon jetën. Për mua në këto momente është fundi i botës.”-thotë babai i Noelit.
Në pamundësi ekonomike, burrë e grua u luten e përgjërohen për ndihmë shqiptarëve, pasi nuk ka asnjë mundësi kurimi për Noelin në atdhe.