“Jetmiri ishte njeri i dashur” U qëllua me thikë 8 ditë më parë në Britani, ndërron jetë i riu shqiptar

Ka ndërruar jetë 8 ditë pasi u qëllua disa herë me thikë në Wolverhampton një 33 vjeçar shqiptar, i quajtur Jetmir Pemaj.

Ngjarja ndodhi më 27 korrik e pavarësisht kujdesit mjekësor, i riu me origjinë shqiptare nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve.

Mbetet ende mister motivi i ngjarjes, ndërsa atje mbeti i plagosur edhe një 20 vjeçar. Policia ndërkohë ka arrestuar personin e dyshuar si autor të ngjarjes, një 24 vjeçar britanik i quajtur Lucious Winchester, nga Birmingham. Ky i fundit akuzohet për vrasje e tentativë vrasje dhe do të paraqitet këtë të enjte përballë gjykatës.

Vdekja tragjike e 33 vjeçarit shqiptar ka tronditur familjarët, të cilët përmes një deklarate thanë:

“ Jetmiri ishte një djalë, vëlla dhe partner i dashur. Ai ishte shumë i dashur dhe do t’i mungojë shumë e gjithë familja dhe miqtë e tij”