“Ju lutem, më lironi burrin” Korçë: Komuniteti rom kërkon lirimin e 21 vjeçarit, arrestuar pas marëdhënieve me një të mitur

Disa pjesëtarë të komunitetit rom në qytetin e Korçës kanë zhvilluar një protestë këtë të enjte para gjykatës, në mbështetje të një 21 vjeçari i cili akuzohet për marrëdhënie me një të mitur.

I riu i quajtur Dritson Kurti u arrestua disa muaj më parë (shtator 2024) pasi u zbulua marrëdhënia me një vajzë 13 vjeçare, e cila kishte mbetur shtatzënë dhe po priste një vajzë.

Pas arrestimi, familjarët kanë kundërshtuar arrestimin, me argumentin se është në traditën e kulturën e tyre që martesat të kryhen në moshë të re. Vetë e mitura, tanimë 14 vjeçe dhe me një fëmijë në krahë, ka kërkuar lirimin e Dritson Kurtit, duke thënë se ai nuk ka kryer asnjë vepër penale.

Të enjten paradite, para ambienteve të gjykatës së Korçës, protestuesit kanë kërkuar lirimin e 21 vjeçarit. Kryetari i shoqatës së komunitetit rom në qytet Avni Kallo, tha se Kurti po mbahet në burg në mënyrë të padrejtë.

“Po e mbajnë në burg të padrejtë. Por ne e kemi si kanun, si traditë që na e kanë lënë pleqtë. Ne e dimë ligjin, por avash avash do e rregullojmë. Ne e kemi që martohemi që në djep. Ça ke lindur ti, djal. Ça ke lindur ti, vajzë. Do ti fejojmë. Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë e Gjykatës që ky të shkojnë në shtëpi se ka një fëmijë për të rritur. E ëma i ka vdekur, i ati e ka braktisur”.-tha Kallo.

E mitura 14 vjeçare e po ashtu edhe gjyshja e Dritson Kurtit, kanë kërkuar lirimin e 21 vjeçarit.

 “Të lutem më lironi burrin. Ai nuk më ka marrë me dhunë mua, më ka marrë te familja. Ai nuk më ka nxjerrë në rrugë. Ai më ka marrë me krijuar familje. As atësinë e fëmijës nuk e kam vetë. Gjykatësja ka kërkuar 25 vite burg. Çfarë ka bërë ai që ta dënojnë 25 vite burg. Unë një krah pune e kisha, ai punonte dy punë dhe sillte për të ngrënë”.-tha e mitura.