Kalonte kufirin serbo-kroat… misteri i zhdukjes së 34 vjeçarit shqiptar

Prej 8 ditësh, fati i një të riu nga Dibra të zhdukur në kufirin mes Serbisë e Kroacisë, mbetet ende një mister. Familjarët e Leo Roçit kanë denoncuar zhdukjen e 34 vjeçarit, i cili ka humbur kontaktet me familjarët teksa kalonte kufirin nga Serbia drejt Kroacisë. Roçi më tutje do të udhëtonte për në Angli tek disa prej familjarëve të tij.

Denoncimi është bërë nga daja i 34 vjeçarit, ndërsa familjarët i frikësohen më të keqes, kjo për shkak dhe të disa komunikimeve që kanë bërë me persona të tjerë nga celulari i Leos.

Telefoni dhe disa mjete tjera personale të Leos janë gjetur në fakt nga persona të tjerë, më konkretisht një grua dhe një burrë që kanë komunikuar me familjarët e 34 vjeçarit. Fillimisht një grua e ka hapur celularin dhe ka nisur t’u bëjë pyetje familjarëve që kërkonin për Leo Roçin. Më tutje një burrë ka marrë telefonin duke u thënë se është doganier. Më tutje burri u ka thënë se është një çoban i zonës dhe se ai i ka gjetur sendet personale të 34 vjeçarit.

Të shqetësuar për mirëqenien e Leos, vëllai e nëna tij janë nisur drejt Serbisë për të kërkuar 34 vjeçarin. Një efektiv policie atje u ka thënë se Leo nuk është as i arrestuar e as në burg.