“Kaluan 3 muaj, e nuk të mora dot njëherë në krahë… hapi sytë o shpirt” Lotët e kësaj nëne të thyejnë zemrën

Prej tre muajsh, kjo nënë e shikon të bijën përmes një xhami… mundet ta ledhatojë për pak kohë, por kurrë deri më sot, nuk ka mundur ta mbajë në krahë vajzën. Melisa është e intubuar dhe në 3 muaj jetë, gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar si pasojë e komplikimeve pas lindjes.

Ajo që duhej të ishte koha më e lumtur për Kristjanën, është kthyer në një makth. Kjo nënë kishte tentuar për 5 vite me radhë të mbetej shtatzënë e të sillte në jetë një fëmijë…e dhimbja e saj duket e pambarimtë.

“Melisa, o shpirti i mamit, ne mezi të kemi pritur, mezi presim të vish në shtëpi… (qan) u rrite këtu në spital o jeta ime. O zemër që mbete veçse në gjumë shtrirë, shkoi tre muaj e mami nuk të ka marrë asnjëherë në krahë. Hapi sytë o mam, Melisa… ti nuk i ke qeshur njëherë mamit, nuk më njeh, nuk i ke hapur sytë të më shikosh njëherë… (qan).. o ëngjëll i bukur, i kam blerë gjërat për ty e nuk munda t’i përdor dot kurrë. Po vuan kaq shumë e je kaq e vogël o shpirt…”-thotë nëna.

Me dorën që ledhaton të bijën e lotët që i mbulojnë fytyrën, Kristjana lutet për ndihmën e shqiptarëve, pasi i vetmi shpëtim për këtë ëngjëll, është kurimi i saj jashtë shtetit. Por transportimi me avion spitalor e kurimi, kapin një shifër tepër të lartë, të cilën familja thjesht nuk mund ta përballojë.