“Kam pësuar ishemi, më lini të lirë” Shqiptarja akuzohet se i mori jetën të moshuarës greke

Këto ishin fjalët që një grua me origjinë nga Shqipëria i përsëriste disa herë oficerëve grekë që e arrestuan 50 vjeçaren, nën akuzën e vrasjes së një të moshuare 84 vjeçare në Kamena Vourla, një qytet në jug-lindje të Greqisë fqinje.

Gruaja u arrestua të martën (22 tetor), ndërsa ngjarja besohet se ka ndodhur 10 ditë më parë, kohë kur një familjare e të moshuarës telefonoi policinë duke i shprehur shqetësimin se nuk kushërira e saj nuk i përgjigjej telefonit prej 24 oësh.

Me të shkuar në vendin e ngjarjes, policia gjeti të moshuarën pa shenja jete. Në pjesën e shpinës e moshuara ishte goditur me një mjet të mprehtë, shkruan media greke.

Policia nisi hetimet për vrasjen e 84 vjeçares dhe shumë shpejt arriti të mbledhë prova kundër 50 vjeçares me origjinë nga Shqipëria

HETIMET

Sipas hetimeve të kryera nga autoritetet, rezulton nga filmimet e regjistruara në kamerat e sigurisë, se ditën e krimit 50 vjeçarja ka vizituar banesën e të moshuarës dhe ka dalë prej aty 2 orë më vonë. E pyetur në lidhje me filmimet, ajo ka pranuar se ka qenë në banesën e të moshuarës, por se ajo nuk është personi që i ka marrë jetën 84 vjeçares.

“Shkova në shtëpinë e saj, por nuk bëra asgjë. U ula aty për disa kohë dhe pastaj ika. Unë nuk kam të bëj fare me këtë punë. Kam probleme me shëndetin, më lironi”-i ka thënë hetuesve 50 vjeçarja shqiptare.

Hetuesit ndërkohë gjetën dhe shenja të këpucëve në pellgun e gjakut që kishte rrethuar trupin e të ndjerës. E pyetur për t’i dhënë rrobat e këpucët që ajo kishte veshur ditën e ngjarjes, 50 vjeçarja shqiptare u tha hetuesve se “janë diku atje, tani nuk mund t’i gjej, mbase i kanë vjedhur. Unë nuk jam mirë, më lini rehat. Është detyra juaj t’i gjeni (rrobat)”

Një tjetër element që shton dyshimet se gruaja me origjinë nga Shqipëria është vrasësja, është dëshmia e bashkëshortit të saj. Ky i fundit i tregoi autoriteteve se një ditë pas ngjarjes (ditës kur dyshohet se ka ndodhur krimi) e shoqja pësoi një goditje në tru (ishemi). Kjo i bën të mendojnë oficerët se gruaja ka kryer krimin e më tutje nuk ka qenë e aftë ta përballojë mendërisht veprimin e kryer, shkruan media vendase.