Prej mëse tre ditësh, Noeli ndodhet i shtruar në spital. Pak ditë më parë po bënte stërvitje në ekipin e moshave të Apollonisë, kur papritur një dhimbje e fortë në kokë e rrëzoi në tokë pa ndjenja. Lajmin e rëndë se ai ka një tumor në kokë, e morën prindërit, të cilët ende nuk i kanë thënë Noelit.
Të thyhet zemra, teksa dëgjon këtë fëmijë të thotë se frikë ka se mos ka diçka serioze në kokë… se nuk e duron dot më dritën e se mos sëmundja e ka kapluar.
“Unë jam Noeli, jam 13 vjeç, vij nga Fieri. Prej disa ditësh jam këtu në spital, kam dhimbje shumë të forta të kokës. Dritën nuk e duroj dot. Nuk e di edhe sa do të zgjasë. Kam shumë frikë se mos më del ndonjë gjë në kokë, ndonjë sëmundje… atë kam frikën më të madhe.”
Eralda e Artani, nëna e babai i Noelit, e kanë thjesht të pamundur të përballojnë shumën e madhe monetare që u duhet, për të kuruar djalin e tyre jashtë shtetit. Familja nga Fieri nuk ka asnjë mundësi ekonomike. Të dy burrë e grua qajnë papushim prej mëse tre ditësh e i luten Zotit për një mrekulli. Të dy këta prindër, u përgjërohen për ndihmë shqiptarëve, pasi shanset për ta shpëtuar djalin në atdhe, janë zero.
Noeli duhet dërguar sa më parë të jetë e mundur jashtë shtetit, atje ku ai mundet të kryejë ndërhyrjen e nevojshme për të larguar të keqen.