Kamera dhe bllokues valësh, arrestohet 35 vjeçari që burgosi nënën, gruan dhe vajzën në mes të Tiranës

Një 35 vjeçar i identifikuar si Jetnor Zhaboli, ka rënë në prangat e policisë së Tiranës nën akuzën e dhunës së vazhdueshme fizike ndaj familjarëve të tij dhe faktit se prej kohësh i kishte burgosur në banesë.

Zhaboli dhunonte fizikisht të shoqen dhe sa herë dilte nga banesa, e kyçte brenda atë, fëmijën e mitur e madje edhe të ëmën. Gjatë kohës që nuk ndodhej në shtëpi, ai monitoronte familjarët me kamera. Në banesë kishte vendosur dhe bllokues valësh telefonike, në mënyrë që këta të fundit të mos kishin mundësi të komunikonin me njeri. 35 vjeçari kishte afro 10 vite i martuar.

Policia  është vënë në dijeni të rastit përmes rrugës operative, pasi asnjë prej familjarëve nuk ka bërë kallëzim. Oficerët kanë trokitur në derën e shtëpisë të cilën e ka hapur vetë 35 vjeçari. Me arrestimin e tij, në banesë janë gjetur kudo kamera sigurie, përfshi këtu edhe në tualet. Bashkëshortja e 35 vjeçarit mësohet se ka tentuar disa herë të vetëflijohet. Në banesë janë gjetur dhe disa letra të shkruara prej saj. 35 vjeçari u ka thënë oficerëve se i mbante mbyllur në banesë për “t’i patur nën kontroll.”

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Seksionin për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve në DVP Tiranë, pas informacionit të marrë se një shtetas, ushtronte dhunë në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e mbante të mbyllur atë, nënën dhe vajzën e tij, sa herë ai largohej nga banesa, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, dhe vënien e autorit të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, u arrestua Jetnor Zhaboli, 35 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 35-vjeçari, ushtronte dhunë në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e mbante të mbyllur në banesë, së bashku me nënën dhe vajzën e tyre të mitur. Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 35-vjeçari, sa herë largohej nga banesa, i monitoronte me kamera dhe ju bllokonte valët e telefonit duke mos i lejuar të komunikojnë me asnjë person”, tha policia në një njoftim për mediat.