“Kamerat ishin për të ruajtur familjen” Gjykata lë në burg 34 vjeçarin e akuzuar për dhunimin e të shoqes

Gjykata e Tiranës ka lënë nën masën e ‘arrestit me burg’ 34 vjeçarin Asqeri Mandri, i cili akuzohet për dhunën dhe mbylljen e të shoqes në shtëpi, ndërsa e gjithë banesa ishte e survejuar nga kamerat.

Para togave të zeza 34 vjeçari ka deklaruar se kamerat i ka vendosur për të parë familjen, fëmijët, pasi ai jetonte jashtë shtetit. Ai ka mohuar të dhunojë fizikisht të shoqen, por ka pranuar se ka patur debate me të.

Deklarimet në polici

Pas arrestimit të tij nga ana e policisë, 34 vjeçari deklaroi para hetuesve se ai nuk e ka dhunuar të shoqen. Madje Mandri shtoi se ka qenë e shoqja e cila e ka kërcënuar dhe se ai i ka kërkuar divorcin.

“Nuk është vërtetë që e kam dhunuar as psikologjikisht, as fizkisht bashkëshorten time. Ajo më ka kanosur me fjalë që do të më vejë tritolin. Arsyeja e vendosjes së kamerave është se në zonën ku banoj ka vjedhje të banesave. Unë kurrë nuk kam shfaqur shenja xhelozie ndaj saj. Kam kërkuar divorc nga ajo pasi marrëdhënia jonë është konsumuar”, tha ai para hetuesve.

Kallëzimin që solli arrestimin e 34 vjeçarit e bëri e shoqja, e cila ka treguar se prej kohësh ai ushtronte dhunë fizike.

“Kemi 12 vite martesë, ku deri para 3 vitesh nuk kemi patur asnjë konflikt. Më pas Asqeriu ka filluar të ushtrojë dhunë fizike dhe psikologjike ndaj meje në sy të fëmijëve. Prej 1 viti ka emigruar në Gjermani dhe në mënyrë të vazhdueshme më ka kanosur se do të vij të të vras pasi është shumë xheloz. Më datë 4 Shkurt, erdhi fundi i durimit pasi ai u zgjua, më bërtiti, shau dhe kanosi me fjalë duke më thënë se do të më vrasë prindërit. Donte të më nxirrte nga shtëpia dhe kur i thashë se nuk kam ku të shkoj, më goditi me grusht tek krahu i majtë dhe më pas ndërhyri vjehrra që e mbajti”, ka thënë gruaja para policisë, pretendime të cilat (pas arrestimit të 34 vjeçarit) ajo më vonë papritmas i hodhi poshtë, duke thënë se nuk ka qenë mirë mendërisht

Shtëpia e mbuluar në kamera dhe momenti kur burri godet të shoqen

Pas publikimit të ngjarjes, në media të ndryshme të vendit u publikuan pamje video, të një momenti kur 34 vjeçari godet bashkëshorten, në sy të fëmijëve të tyre të mitur. Në video duket sesi 34 vjeçari mbante të bijën e vogël, e lë atë më tutje dhe shkon e godet bashkëshorten.

Kamerat e vendosura ne ambientet e brendshme te shtepise