Një 42 vjeçar i identifikuar me inicialet A.B, është prangosur nga ana e policisë së Tiranës pasi akuzohet se ka kërcënuar e kanosur me thikë disa nxënës të mitur.
Ngjarja ka ndodhur në Krrabë, atje ku 42 vjeçari kërcënonte me mjet prerës nxënës të klasave të 9-ta e 12-ta të shkollës së mesme të bashkuar.
“Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, u bë e mundur kapja në afërsi të shkollës, e shtetasit A. B., 42 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet mjeti prerës (thikë), me të cilin kërcënonte disa nxënës të kësaj shkolle.
Ky shtetas, me anë të mjetit prerës (thikë), rrugës për në shkollë, kanoste dhe përndiqte disa nxënës nga klasa e 9-të deri në klasën e 12-të të shkollës në Krrabë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i 42-vjeçarit dhe materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Përndjekja”.”-njofton policia.