Kapitenia e kombëtares së Spanjës mësoi se i ndërroi jetë i ati, fill pas fitores së Kupës së Botës

Ishte minuta e 29’ e finales për Kupën e Botës për femra në futboll, kur Olga Carmona, kapitenia e Spanjës, arriti të shënojë golin e parë. Ky gol do të ishte vendimtar në ndeshjen kundër Anglisë, pasi sfida përfundoi 1-0 për Spanjën.

Kësisoj 23 vjeçarja u bë heroina e të kombëtares së saj… por për kapitenen e skuadrës, një lajm i hidhur do të vinte fill pas ndeshjes finale. Babai i Carmonës, kishte ndërruar jetë po atë ditë (dje, e dielë).

Lajmin e përcolli Federata Spanjolle e Futbollit. Babai i mbrojtëses kishte qenë sëmurë dhe ndërroi jetë. Familja kishte vendosur të priste deri në përfundimin e ndeshjes e celebrimit të titullit, për t’i dhënë lajmin 23 vjeçares.

“Me dhimbje njoftojmë se babai i Olga Carmonas ka ndërruar jetë. Përcjellim ngushëllimet tona për Olgën dhe familjen e saj në këto kohë zie dhe dhimbje të madhe. Të duam Olga. Ti je pjesë e historisë së futbollit spanjoll”-thuhej në njoftimin e Federatës.

“E pa e ditur, e kisha yllin tim lart në qiell para nisjes së ndeshjes. Më dhe forcën për të arritur diçka unike. E di që ke qenë duke më parë këtë mbrëmje, se je krenare për mua. Pusho në paqe babi”-shkruajti 23 vjeçarja në ‘X’

Në fillim të kampionatit botëror për futbollin për femra, një tjetër lojtare e kombëtares së Spanjës kishte humbur të atin. Ditën e djeshme, goli që Carmona shënoi e atribuoi për nder të Irene Paredes, shoqja e skuadrës që kishte humbur të atin.