Kavajë: 52 vjeçari qëllon me sëpatë në kokë të riun, pas sherrit për motive të dobëta

Një sherr për motive të dobëta në lokal, ka mjaftuar që një 52 vjeçar të tentojë të vrasë një të ri në moshën 33 vjeçare në Kavajë. 52 vjeçari i identifikuar si Artur Petja, ka goditur me sëpatë në kokë një 33 vjeçar me inicialet I.GJ.

I riu ëstë dërguar në spitalin e Durrësit dhe më tutje për mjekim më të specializuar në spitalin e traumës në Tiranë.

Ndërkohë autori i dyshuar është prangosur nga policia dhe akuzohet për ‘vrasje me dashje’ e mbetur në tentativë. Policia prangosi dhe pronarin e lokalit, pasi ky i fundit ka tentuar të prishë provat e ka dhënë dëshmi të rreme, duke thënë se 33 vjeçari ishte rrëzuar nga shkallët.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt mes 2 shtetasve, në një lokal, në lagjen nr. 4, Kavajë, kanë organizuar punën për zbardhjen e rrethanave të konfliktit dhe identifikimin e shtetasve të përfshirë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi Artur Petja, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në lokalin në pronësi të shtetasit E. D., ka tentuar të vrasë shtetasin I. Gj., 33 vjeç, banues në Kavajë, duke e goditur me mjet prerës (sëpatë), në kokë. 33-vjeçari, pas mjekimit në spitalin e Durrësit, është dërguar për mjekim të specializuar në spitalin e Traumës, Tiranë”, njofton policia.