Kavajë: Pas konfliktit banal për një parakalim, djali i policit qëllon me armë 29 vjeçarin

Një konflikt i rëndomtë për një parakalim me makinë i cili mund të ishte kthyer në një krim të rëndë, me pasojë vrasjen e një 29 vjeçari.

Ka qenë kjo ngjarja që ka çuar në arrestimin e një oficeri policie në Kavajë, me detyrën e nënkomisarit. Oficeri Kastriot Gjongecaj është arrestuar nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore (AMP) pasi së bashku me të birin 24 vjeçar, kanë qëlluar me armë në drejtim të një 29 vjeçari.

Një ditë para ngjarjes së regjistruar të enjten, djali i oficerit të policisë ka patur një debat në distancë me 29 vjeçarin, për çështje të parakalimit me makinë. Të nesërmen 24 vjeçari Denis Gjongecaj së bashku me babain e tij kanë shkuar të ‘sqarojnë çështjen’ me 29 vjeçarin. Me ta parë këtë të fundit në makinë, 24 vjeçari ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar në drejtim të personit me të cilin pati debat në distancë, 29 vjeçarin. Ky i fundit ka mundur t’i shpëtojë plumbave duke u larguar në kohë.

Agjencia e Mbikqyrjes Policore për rajonin e Durrësit e Kavajës, ka vënë në pranga oficerin si dhe ka shpallur në kërkim djalin e tij 24 vjeçar, i cili akuzohet për ‘vrasje të mbetur në tentativë’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’.

 “Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë N/Komisar Kastriot Gjongecaj, me detyrë specialist në seksionin e shërbimeve ndaj të tretëve në DVP Durrës, si edhe shpalli në kërkim Denis Gjongecajn, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”. Arrestimi i N/komisar Kastriot Gjongecaj u krye pasi nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake ka rezultuar se në bashkëpunim me Denis Gjongecajn, 24 vjeç (djali i tij), më datë 08.02.2024, rreth orës 13:25, në lagjen Nr.2 të qytetit të Kavajës, janë konfliktuar për motive të dobëta dhe kanë qëlluar me armë ndaj automjetit me të cilin udhëtonte Kiti Kazazi, 29 vjeç. Nga kjo ngjarje nuk ka patur të lënduar”, thuhet në njoftim.