”Këtu kushtet janë shumë të këqija. Kemi frikë natën se mos bie tavani dhe na zë brenda. Në një dhomë nuk ka fare dritare, tjetra është me plastmas. Kur kemi shumë ftohtë hyjmë në batanije, sepse nuk kemi sobë me drru. Kur bie shi uji futet brenda. Dalin edhe minj këtu. Kemi shumë frikë nga minjtë.”
Kjo është gjendja në të cilën jeton Agimi 7 vjeçar. Së bashku me të motrën 3 vjeçe ai struket në batanijet e dhuruara nga komshinjtë, për t’i bërë ballë të ftohtit, territ të varfërisë që e ka pushtuar e rrënuar shtëpinë e tij.
Thotë se të gjithë shokët e tij kanë rroba, ndërsa ai vesh çfarë t’i falin. Në zemër i pikon këtij vogëlushi, kur e motra e vogël i kërkon diçka. Ky jetim veçse 7 vjeçar është detyruar prej varfërisë të rritet para kohe… madje e ka dëshirë të rritet, pasi vetëm kur ai të rritet, mundet të nxjerrë prej skamjes motrën e nënën.
“Shokët e mi kanë rroba, kanë shumë gjëra që unë si kam. Unë vesh çfarë më japin komshinjtë. Motra kur shkon në shkollë, shikon të tjerët dhe më kërkon mua. Unë i them hajde se do t’i blejmë një ditë tjetër.
Dua të rritem shpejt, t’i bëj një shtëpi mamit dhe motrës.”-thotë Agimi.
E kur ky vogëlush flet për ëndrrat e tij, e kupton fare qartë realitetin në të cilin jeton Agimi. Një fëmijë 7 vjeçar, që në vend të ëndrrave fëminore, mendon për një krevat, për një palë çarçafë apo thjesht një dritë të ndezur…
“Unë ëndërroj që të kem një krevat, se këto krevatet janë me gropa, sepse i kanë ngrënë minjtë. Unë i dua çarçafët me Spider-man dhe të kemi dhe një televizor për të parë kukulla.
Nuk dua të jetoj më në këtë shtëpi që nuk ka drita dhe ka minj. Unë dëshiroj një shtëpi që të kem drita, të kem dritare e një sobë për t’u ngrohur. “-tregon Agimi.




