Një tjetër ‘sfidë’ e re po merr dhenë në rrjetet sociale mes adoleshentëve e të rinjve, ‘sfidë’ e cila është bërë shkas për dhjetëra e dhjetëra dëmtime e fraktura.
Veçanërisht në platformën e TikTok, tanimë të rinjtë po kryejnë sfidën e ‘Supermenit’. Kjo ‘sfidë’ konsiston në hedhjen në ajër me një dorë përpara (si personazhi vizatimor), më pas për t’u kapur (ose jo) nga dy persona të tjerë.
Në Rumani, vetëm brenda një dite kanë përfunduar në spital mbi 20 fëmijë e adoleshentë, shumë prej të cilëve kanë patur fraktura në pjesë të ndryshme të trupit.
Nga spitali “Grigor Aleksandresku” në Bukuresht, një mjek i quajtur Alexandu Ulici tha për median vendase se disa adoleshentë kanë patur nevojë edhe për ndërhyrje kirurgjikale prej dëmtimeve të marra nga kjo “lojë” e rrezikshme.
“Që prej të premtes së shkuar, pacientë me fraktura kanë nisur të paraqiten në spitalin tonë, si pasojë e një sfide që quhet ‘Sfida e Superman-it”. Nëse në fillim fenomeni na u duk i padëmshëm, tanimë numri i pacientëve është shtuar ndjeshëm. Vetëm ditën e djeshme kemi patur 20 pacientë me fraktura dhe trauma të mëdha trupore. Po ngremë alarmin sepse duket një fenomen që rrezikon fëmijët. Ata hidhet përpara me njërën dorë ngritur dhe thonë jam supermeni, kurse të tjerët i lënë të bien në tokë apo në objekte të tjera. Këto rënie po shkaktojnë dëmtime serioze”-tha mjeku Ulici.
I pyetur nga media vendase sesa serioze kanë qenë rastet, mjeku tha se “janë fraktura, pra diçka serioze.”
Mjeku u pyet po ashtu dhe për kohën e rikuperimit për të tilla dëmtime.
“Në varësi të rastit, por të paktën duhet një deri në dy muaj”-u përgjigj ai.