Kërkime në 3 qytete të tjera për 42 vjeçarin që plagosi me armë efektivin e “Shqiponjave” në Tiranë

24 orë pasi plagosi rëndë efektivin e forcave ‘shqiponja’ Edlir Alleshin, autori i dyshuar i ngjarjes, Klered Bozhanaj, vijon ende të jetë në arrati. Policia ka kryer deri më tani kërkime në 4 qytete të vendit, përkatësisht në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Vlorë, por ende nuk ka mundur të gjejë 42 vjeçarin.

Kolegët e efektivit të plagosur (i cili pas ndërhyrjeve kirurgjikale ndodhet jashtë rrezikut për jetën) kanë dhënë dëshmitë e tyre para hetuesve, duke treguar dhe dinamikën e ngjarjes.

“Duke patrulluar në zonë, pas disa informacioneve se në një lulishte aty pranë po shitej lëndë narkotike, ne kemi konstatuar autorin e ngjarjes. Sapo na pa u, largua me vrap duke u futur në hyrjen e pallatit. Edliri zbriti nga motori dhe iu vu në ndjekje, pas tij kemi shkuar edhe ne. Autori është ngjitur deri në katin e dytë të pallatit dhe ne zbritëm poshtë në hyrje pasi ishte errësirë. Ai ka zbritur dhe qëlloi me armë zjarri. Më pas u largua me shpejtësi.”-tha një prej efektivëve që ishte në vendin e ngjarjes.

Policia ka kontaktuar dhe me familjarët e autorit të dyshuar, për të kërkuar bashkëpunimin e tyre në gjetjen e Bozhanajt. Ky i fundit kishte jetuar prej disa kohësh në Italinë fqinje dhe ishte kthyer së fundmi në atdhe. Pas ngjarjes së rëndë (pasditen e të mërkurës), shefi i policisë së Tiranës Tonin Vocaj u shpreh se 42 vjeçari ishte i rrezikshëm, i armatosur dhe me shenja të theksuara të depresionit.