“Kërkoj falje, ishte gabimi jetës”  Lihet në burg i moshuari që vrau për një vend parkimi 38 vjeçarin shqiptar në Pire të Greqisë

 “Jam penduar. Kërkoj falje, ishte gabimi më i madh i jetës sime… e për këtë duhet të dënohem”

Kështu është deklaruar para trupës gjykuese në Pire 68 vjeçari grek i cili i mori jetën një 38 vjeçari shqiptar, baba i tre fëmijëve.

Përpara mediave 68 vjeçari u mundua të mbulojë fytyrën.

Ai përballet me akuzë të rëndë penale, ndërsa është kërkuar dhe një vlerësim psikik për të.

Ngjarja

Të premten që lamë pas, 38 vjeçari shqiptar humbi jetën pasi u qëllua me çifte dy herë nga i moshuari. Ky i fundit, i njohur në lagje si person problematik, kishte nisur sherrin e radhës me të ndjerin në lidhje me çështje të parkimit.

Ditën e djeshme për median greke foli vëllai i 38 vjeçarit, i cili tha se bashkëshortja e të ndjerit ka mbetur e vetme me 3 jetimë dhe në gjendje të rënduar.