“Kështu ma dha truri” Shtëpia mbushur në kamera, si i mbante të burgosur familjarët babai i 4 fëmijëve

Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga një 34 vjeçar të quajtur Asqeri Mandri, i cili akuzohet se ka dhunuar fizikisht të shoqen dhe e ka mbajtur mbyllur në shtëpi për disa kohë.

Ngjarja rëndë vjen fill pas rastit të Jetnor Zhabolit, 35 vjeçarit që prej mëse një viti, mbante të burgosur e nën vëzhgimin e kamerave të shoqen dhe dy fëmijët.

Por ndryshe nga nga rasti i parë, denoncimin për dhunën e vazhdueshme dhe mbylljen në shtëpi, e ka bërë vetë bashkëshortja e 34 vjeçarit Mandri. Kjo e fundit ka regjistruar dhe momentet e dhunës së ushtruar ndaj saj.

Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se Mandri kishte afro 6 muaj që ishte kthyer nga Gjermania. 34 vjeçari kishte nisur të shfaqte shenja të xhelozisë dhe kishte tentuar të mos lejonte nënën e 4 fëmijëve të shkonte në punë. Për njëfarë periudhe, gruaja nuk ka mundur dot të shkojë në punë. Gjatë kësaj periudhe, 34 vjeçari e kishte mbushur shtëpinë me kamera sigurie për të parë lëvizjet e të shoqes dhe fëmijëve. Në deklarimin e tij para oficerëve, mësohet se Mandri është shprehur se vendosi kamera e monitoroi të shoqen sepse “kështu ma dha truri”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas informacionit të marrë se një shtetas kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e mbante të mbyllur atë, në monitorimin e kamerave që i kishte instaluar brenda në banesë, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 u arrestua shtetasi A. M., 34 vjeç, banues në Kodër Institut.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 34-vjeçari ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e mbante të mbyllur në banesën e tyre ku kishte montuar kamera për të monitoruar lëvizjet e saj”, njofton policia.