Kjo është makineria që i mori jetën 50 vjeçares shqiptare në Greqi, media vendase sjell detaje të reja

Ditën e djeshme (1 tetor), familjarë e të afërm e përcollën në banesën e fundit. Lubjana, e njohur nga të gjithë si Ana, ishte një 50 vjeçare shqiptare, nënë e dy fëmijëve, e cila humbi jetën tragjikisht teksa punonte në një dyqan mishi. Shqiptarja u përcoll në banesë të fundit pas një ceremonie mortore në kishën e Agios së Etoloakarniania.

Këtë të hënë, media vendase ka raportuar gjerësisht mbi vdekjen tragjike të gruas (ndodhur më më 30 shtator) dhe sesi makineria (grirëse mishi) mundi t’i marrë jetën.

Një ekip ekspertësh tashmë kanë nisur punën për të hedhur dritë mbi rastin, nëse kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale, apo me një tentativë vrasjeje. Në momentin kur gruaja ka qenë duke pastruar grirësen e mishit, makineria është ndezur, duke i zënë fillimisht flokët.

Newsbomb.gr raporton mbi rrëfimin e babait të pronarit të dyqanit të mishit, ndërsa ky i fundit u arrestua që në ditën që ndodhi ngjarja. I moshuari ka treguar se në dyqan ata nuk kanë parë asnjë pikë gjaku. Duke iu referuar këtij të fundit, Neësbomb.gr shkruan se dyshimet janë se gruaja e ka ndezur makinerinë për ta pastruar më mirë dhe aksidentalisht ka mbetur e ngecur nga flokët. Babai i pronarit të dyqanit tha më tutje se familjes së Anës i kanë qëndruar pranë, pasi i dinin vështirësitë financiare të të ndjerës.

“Ne jemi të shokuar. Ajo ishte një grua në vështirësi, në nevojë. I kemi mbuluar të gjitha shpenzimet funerale dhe po bëjmë çmos që të ndihmojmë dy fëmijët e saj. Ne do jemi në krah të tyre”-tha i moshuari.

Në lidhje me rastin ka folur dhe e motra e pronarit të dyqanit, e cila deklaroi se si familje, ata do t’i qëndrojnë pranë të afërmve të të ndjerës (50 vjeçarja ishte e divorcuar, jetonte e vetme në Greqi prej 2 vitesh me dy fëmijët 18 e 10 vjeç si dhe me nënën e moshuar).

“Ne do t’i qëndrojmë pranë asaj familje, me çfarëdo lloj gjëje që t’i nevojitet”-tha motra e pronarit të dyqanit, duke shtuar se “ne e kuptojmë dhimbjen e familjarëve sepse kemi vetë fëmijë e familje”.

Për median greke (Alfa) ka folur edhe motra e Anës, e cila tregoi se ende nuk e beson që 50 vjeçarja është larguar nga kjo botë.

“Ajo ishte një ëngjëll. E ndihmonte e bija. Ajo punonte aty prej një muajit. Aty pajisjet ishin ndezur. Vajza dëgjoi klithmat e të ëmës e vrapo drejt saj, dhe aty e pa atë brenda në grirëse. Ajo s’mundi të bëjë asgjë. Më mori në telefon “Teze më ndihmo, ndihmo mamin” më tha. Kur shkova atje, më iku mendja”-tha motra e 50 vjeçares së ndjerë.

Por edhe më e kobshme ishte dëshmia e një burri, i cili shkoi i pari në vendin e ngjarjes, pasi u alarmua nga klithmat e vajzës së viktimës, e cila pasi ka parë të ëmën ka dalë në rrugë duke bërtitur për ndihmë.

“M’u këputën këmbët kur e pashë. Aty gjak nuk kishte. Nga ajo që pashë, gruaja kishte mbetur e ngecur në qafë dhe në njërin krah. Makineria nuk kishte tehe të mprehta.”