Kuqezinjtë kanë humbur vende në renditjen e FIFA-s, pavarësisht se nuk duket të jetë ‘faji’ i kombëtares.
Kombëtarja nuk ka zhvilluar ndeshje javët e fundit, e përpos kësaj, Shqipëria ka rënë dy vende. Shkak është bërë performanca e mirë e dy prej kombëtareve afrikane në Kupën e Afrikës dhe Azisë. Ngjitja e Bregut të Fildishtë dhe Republikës së Kongos ka sjellë dhe rënien e kuqezinjve në vendin e 64.
Njëlloj dhe për kombëtaren e Kosovës e cila ka zbritur me një renditje, duke shkuar në vendin e 102-të. Rënia me 1 vend e Dardanëve ndikohet nga ngjitja e Tajlandës me 12 pozicione.
Në muajin e ardhëm Shqipëria pret të luajë miqësore me Kilin, i cili ndodhet në vendin e 42 në renditjen e FIFA-s. Suedia, kundërshtari për muajin tjetër, gjendet në vendin e 26-të.
Në lidhje me kundërshtarët e ‘vërtetë’ në kampionatin Europian, Shqipëria përballet me Spanjën, Italinë e Kroacinë, të cilat gjenden në krye të 10 më të mirëve.
Sa i përket 10 vendeve të para nuk ka ndryshime, me renditjen që kryesohet nga Argjentina, ndjekur nga Franca, Anglia dhe Belgjika. Spanja, Italia e Kroacia mbyllin 10 pozicionet e para të kësaj renditje.