Konflikt për pronësinë, 61 vjeçari kthehet nga Greqia dhe i merr jetën djalit të kujdestares së të atit

Një krim i rëndë ndodhi mbrëmjen e të mërkurës në Korçë, atje ku një 61 vjeçar i mori jetën një 40 vjeçari dhe më pas me të njëjtën armë, i dha fund jetës së tij.

Pista kryesore e hetimit mendohet të jetë një konflikt për çështje pronësie. Babai i moshuar i 61 vjeçarit mesa duket kishte vendosur që pronën (shtëpi) në fjalë t’ja linte 40 vjeçarit Emiljano Pine, nëna e të cilit prej vitesh kujdesej për të moshuarin.

Me të mësuar mbi vendimin e të atit, 61 vjeçari Ilio Lluka i cili jetonte në Greqi, është kthyer në atdhe. Pas përballjes me 40 vjeçarin, Lluka e ka qëlluar për vdekje me armë. Më pas 61 vjeçari i ka dhënë fund jetës së tij.

“Isha në shtëpi kur ndodhi ngjarja. Dëgjova krisma, dola jashtë dhe i pashë të dy të shtrirë në rrugë. I njihja të dy personat. Emiljano ishte djalë i shkëlqyer. Nëna e Emiljanos e mbante në shtëpi babanë e Ilos prej disa vitesh dhe kujdesej për të, që kur ishte edhe i shoqi gjallë.”-tregoi një fqinj.

“Dëgjova krisma mbrëmë. I thashë gruas mos janë fishekzjarrë dhe nuk dola në moment. Kur dola për të mbyllur derën pashë çfarë kishte ndodhur. Nuk njihja asnjërin prej tyre”, thotë një tjetër fqinj.

Jashtë kamerave, fqinjët e Emiljano Pines kanë treguar se familja e 40 vjeçarit jetonte me qira. Babai i moshuar i Ilio Llukës po ashtu bashkëjetonte me ta. Po sipas fqinjëve, babai i 40 vjeçarit prej 1 viti kishte ndërruar jetë, ndërsa e ëma vijonte dhe përkujdesej për të moshuarin, babain e 61 vjeçarit.