Konflikt për vilën e “gjeneralit”, djali Nehat Kullës arrestohet pasi dhunon njerkën e tij në Tiranë

Djali i Nehat Kullës, i bandës famëkeqe në Tiranë, është prangosur nga ana e policisë së kryeqytetit nën akuzën e ushtrimit të dhunës ndaj njerkës së tij. Robert Kulla ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së babait të ndjerë, për shkak të një konflikti për pronësin e vilës së ‘gjeneral’ Kullës, e cila ndodhet në zonën e Tufinës në Tiranë.

Edhe pse e pajisur me urdhër mbrojtje, 43 vjeçari ka kanosur njerkën dhe i ka thyer asaj çelësat e vilës.

Të dy rezultojnë të kenë çertifikatë pronësie për vilën e Nehat Kullës dhe njëkohësisht të dy, akuzojnë njëri- tjetrin për falsifikim të dokumenteve. Rasti është i përsëritur dhe kësaj here ka kaluar në vetëgjyqësi në momentin kur Robert Kulla i ka thyer çelësat e shtëpisë njerkës së tij. Policia tanimë e akuzon 43 vjeçarin për tre vepra penale.

‘Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin R. K., 43 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Vetëgjyqësia”, dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. Ky shtetas dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së babait të tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtje dhe me vetëgjyqësi i ka thyer çelësin e bravës.‘- njofton policia.

Robert Kulla, djali i Nehat Kullës, nuk është një emër i panjohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare. Më shtator të vitit 2016, ai u arrestuar si autor i dyshuar për një vjedhje në një bankë të nivelit të dytë në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Në shtëpinë e Robert Kullës u gjetën disa mijëra euro që dyshohej se i përkisnin grabistjes. Prokuroria në atë nuk arriti të vërtetojë se paratë e gjetura i përkisnin vjedhjes së kryer në gusht të po atij viti, duke bërë që Kulla të lirohej nga akuza.

Nehat Kulla, i njohur si ‘gjenerali’, ishte një nga krerët e bandave në vitet 1997. Ai ndërroi jetë në qershor të vitit 2022 për shkak të Covid-it.