Konflikti tragjik në Vlorë: Si e humbi jetën inxhinieri 55 vjeçar, arrestohet i autori ngjarjes

Një sherr i cili ka degjeneruar në përdorimin e dhunës ka qenë fatal për një 55 vjeçar në Vlorë, i cili si pasojë e grushteve që ka marrë, ka humbur jetën.

Burri i identifikuar si Armando Memshani, me profesion inxhinier, humbi jetën këtë të hënë në një pikë interneti në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë. I ndjeri u përplas me një të ri në moshën 33 vjeçare i quajtur Rei Meta. Ky i fundit e goditi dy herë me grushte 55 vjeçarin. Memshani është rrëzuar me kokë në tokë e duket se përplasja ka qenë fatale.

Dyshimet e policisë janë se ngjarja ka ndodhur për shkak të konflikteve që viktima e autori kishin mes tyre për disa borxhe.

Pas krimit, i riu u largua nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar disa minuta më vonë nga policia. Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se Rei Meta nuk ka patur për qëllim vrasjen e 55 vjeçarit. Ai ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve, ndërsa prokuroria tashmë ka nisur punën për të zbardhur të vërtetën.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, se rreth orës 11:45, në një qendër interneti, në lagjen “Hajro Çakërri”, 2 shtetas ishin konfliktuar fizikisht dhe nga goditjet, njëri prej tyre kishte humbur jetën, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje, si dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorit.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve profesionale të shërbimeve të Policisë, u bë i mundur identifikimi menjëherë pas ngjarjes, i autorit të saj, shtetasit R. M., 33 vjeç, banues në Tiranë.

Pas disa minutash ndjekjeje intensive nga Policia, 33-vjeçari u kap dhe u shoqërua në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.”-njoftuan autoritetet.