Gjigandi ‘Google’ ka hedhur në treg (SHBA e Britani fillimisht) modelin e tij të inteligjencës artificiale, të quajtur Bard.
Google shpreson që modeli i tij gjuhësor i inteligjencës artificiale të jetë e ardhmja e shërbimit të kërkimit në internet, në një kohë kur ChatGPT ka sfiduar gjigandin e teknologjisë në një sërë fushash përmes modelit të tyre të inteligjencës artificiale.
Duke e konsideruar këtë shërbim si një “Eksperiment” drejtuesi i Bard Jack Krawcyzk, tregoi se testimet janë kryer dhe se tashmë kishte ardhur koha që ‘Bard’ të mund të përdoret nga njerëzit.
Njëlloj si ‘chatGPT’ edhe modeli i Google “Bard”, i lejon përdoruesit që të pyesin modelin, i cili është i aftë të japë përgjigje për pyetje të detajuara, apo të prodhojë diskutime. Përdoruesit mund të regjistrohen duke e aksesuar ‘bard’-in përmes adresës zyrtare të kompanisë.
Siç raporton “The Guardian”, drejtuesi i projektit tregoi gjatë një prezantimi modelin ‘Bard’ teksa e ndihmonte për të shtruar një sërë idesh për ditëlindjen e të birit, i cili ka për pasion gjimnastikën. Krawcyzk i kërkoi Bard-it që të gjenerojë një email në formë ftese për të ata që do të vinin në ditëlindjen e djalit.
Ndryshe nga ChatGPT, Bard përdor një sistem gjuhësor të quajtur LaMDA, emër i cili u bë shumë i lakuar në media vitin e kaluar, pasi një prej inxhinierëve, pretendoi se sistemi ishte i aftë të ndjente dhe perceptonte.
“The guardian” shkruan se ‘Google’ nuk është përgjigjur ende në lidhje me kostot e kërkimit përmes modelit të saj ‘Bard’, krahasuar kjo me procesin e kërkimit konvencional. Gjithsesi përllogaritje të bëra nga ekspertë të jashtëm, flasin për një rritje 10 deri në 100 fish të kostove, pasi ‘Bard’ nuk ka reklama që të mund të mbulojë kostot.