Korçë 40 vjeçari ndërhyn për të shpëtuar nënën nga babai i dehur, 70 vjeçari e godet me thikë

Një 40 vjeçar ka mbetur i plagosur mbrëmjen e djeshme teksa ndërhyri për të shuar një konflikt mes babait e nënës së tij.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në Korçë, në banesën e familjes në lagjen nr.10. Autoritetet njoftuan se 70 vjeçari ka qenë në gjendje të dehur dhe pas një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të godasë me thikë të shoqen. I biri ka ndërhyrë për të shuar debatin por është goditur me thikë nga i ati. 40 vjeçari ka marrë një plagë në dorë dhe mandej është paraqitur në spital për mjekim. Ndërkohë policia e ka arrestuar të moshuarin.

Njoftimi: 

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një konflikt në familje, ju informojmë se Komisariati i Policisë Korçë arrestoi në flagrancë shtetasin N. P., 70 vjeç, banues në Korçë, pasi në banesë, në gjendje të dehur, për motive të dobëta, dyshohet se ka goditur në dorë, me mjet prerës thikë, djalin e tij 40 vjeç, i cili u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.