Kosova feston 16 vjetorin e Pavarësisë

Sot është një ditë gëzimi që e gjen në çdo rrugë të Kosovës. 16 vite më parë, Kosova u shpall shtet i pavarur, duke u bërë kështu i dyti shtet i kombit shqiptar.

Në kryeqytet e qytetet e tjera të vendit, rrugët e sheshet u stolisën me flamuj dhe buzëqeshjet e plot qytetarëve që dolën në festë për këtë ditë të shënuar.

Ky 16 vjetor shënon dhe një përvjetor ndryshe nga të tjerët. Më në fund, pas plot 16 vitesh ‘izolimi’, qytetarët e Kosovës tanimë mund të lëvizin lirshëm në Europë falë liberalizimit të vizave.

Në mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se njëlloj si 16 vite më parë, Kosova “ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve pa dallim”.

 “Me mbështetjen nga aleatët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, ne ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët, Republikën e Kosovës, një Republikë parlamentare e mirëfilltë, me drejtësi e barazi për qytetarët e saj, kontribuuese për paqe dhe garanci për paqe. Një shtet që vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut e të gjitha pakicave, drejtësinë sociale dhe solidaritetin i ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror”, tha Kurti.

 “U jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë kontribuar në luftën tonë çlirimtare dhe në procesin e pavarësisë. Mirënjohje e veçantë për partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë për rrugëtimin tonë të përbashkët të konsolidimit të shtetit dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë.

“Qoftë gjithmonë e fortë Republika jonë. Ne i dalim zot”, tha më tutje Kurti.

Pas mbledhjes solemne të qeverisë, Kryeministri së bashku me Presidenten Osmani e Kryeparlamentarin Konjufca morën pjesë në ngritjen e flamurit para ndërtesës së Qeverisë.

Agjenda shtetërore ka planifikuar nderime, homazhe e koncerte për shënimin e Pavarësisë së Kosovës.

Agjenda shtetërore për shënimin e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës:

08:00 – Mbledhje Festive e Qeverisë së Republikës së Kosovës

08:20 – Ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës

08:30 – Nderime te Monumenti i të Pagjeturve

08:45 – Homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova

08:50 – Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi

09:50 – Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

11:00 – Nderime te Monumenti “Heroinat”

11:15 – Nderime te Monumenti i Policëve të rënë në detyrë

11:25 – Nderime te pllaka e fëmijëve të vrarë gjatë luftës (Oborri i Kuvendit)

12:00 – Seanca Solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës

17:00 – Pritje shtetërore nga presidentja, kryeparlamentari dhe kryeministri i Kosovës

18:00 – Koncerti i Pavarësisë (Sheshi i Prishtinës)

20:15 – Koncert solemn i Filharmonisë së Kosovës (Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë).