Kosova ka 1.58 milionë banorë, dalin rezultatet e regjistrimit të popullsisë

Këtë të premte autoritetet në Kosovë kanë prezantuar rezultatet e regjistrimit të popullsisë. Kosova rezulton të ketë 1 milion e 586 mijë e 659 banorë. Prej tyre, 795 mijë 46 janë meshkuj dhe 791 mijë e 614 femra.

Mosha mesatare për vitin 2024 në Kosovë është 34.8, me një rritje prej afro 5 vitesh nga censi i fundit i kryer.

Tri komunat me dendësinë më të madhe të popullsisë janë Fushë Kosova, Mamusha dhe Prishtina.

Përsa i përket numrit të banesave, në Kosovë regjistrohen 560 mijë të tilla. Numri i ekonomive familjare 353 mijë, derisa numri mesatar i anëtarëve për familje është 4.5 banor.

Këto janë rezultate paraprake, pasi të dhënat përfundimtare pritet të publikohen në dhjetor. Ushtruesi i detyrës së Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, tha se në komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit e Mitrovicës së Veriut, pati bojkotim në masë të regjistrimit.

Përveç numri të popullsisë rezidente në Kosovë, u bë dhe një matje për diasporën. Sipas Kastratit, janë regjistruar afro 600 mijë shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë shtetit. Regjistrimi i diasporës do të vijojë deri në fund të gushtit.

Regjistrimi i popullsisë u bë nga 5 prilli deri më 24 maj. Këtë herë, janë shtuar pyetësore edhe për dëmet e luftës dhe pyetësori për regjistrimin e bashkëatdhetarëve.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, sipas të cilit numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, ishte 1 milion e 739 mijë e 825. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.