“Kosova në prag të sanksioneve” Rama: I kërkova Kurtit të shtyjmë mbledhjen e qeverive për të diskutuar

Mbledhja e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë e asaj të Kosovës nuk do të mbahet nesër në Gjakovë. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka bërë me dije lajmin, duke shtuar se i ka kërkuar kryeministrit Kurti që takimi të bëhet në një format më të ngushtë, për t’u diskutuar mbi mënyrat e zgjidhjes së tensioneve në veri të Kosovës.

“Ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar dhe pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër, në Gjakovë, në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes për të diskutuar pikërisht për këtë situate, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euro-atlantike në një pikë të paimagjunueshme, ku kjo e fundit e ka vendosur gishtin faktikisht në butonin që do të vë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë” – deklaroi Rama.

Sipas tij, Kurti ka refuzuar, duke thënë se diskutimi mbi çështjen në fjalë, mund të bëhej në një moment të dytë, pas përfundimit të mbledhjes së parashikuar.

”Nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot. Mbase, nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit Kurti, unë shpresoj shumë që të mund të takohemi për të ballafaquar opinonet… e përsëris, jemi në prag të lëvizjes së një plani për masa shtrënguese, ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit”-tha Rama.

Rama shtoi më tutje se ka kërkuar kohë nga ndërkombëtarët, siç thotë ai për të gjetur një rrugëdalje.

 “Kam bërë një përpjekje për të kërkuar edhe pak kohë, e kam marr edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam frikë se plani që është një plan realisht, realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje.” – tha Rama.

Kujtojmë se këtë të martë Kurti reagoi për herë të parë në lidhje me propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, i cili bëri publik faktin se u kishte dorëzuar ndërkombëtarëve një draft status për asociacionin. Mbi të Kurti i sugjeroi kryeministrit shqiptar që t’ja dorëzonte Presidentit Vuçiç për shqiptarët e Luginës së Preshevës

“Nuk kam dyshim që kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, beson që propozimi i tij i draft-statutit është i mirë, dhe duke qenë kështu, krejt çfarë unë propozoj është që kryeministri Rama, këtë draft-statut për pakicat kombëtare t’ia prezantojë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më së largu, në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur, për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, është shprehur Kurti.