Kosovë: I riu i merr jetën xhaxhait të tij, shkak konflikti për pronat

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premte, në oborrin e një familje në fshatin Kijevë të Malishevës. Një i ri rreth moshës 37 vjeçare, dyshohet se i ka marrë jetën xhaxhait të tij në të 60-tat. Shkak i konfliktit dyshohet të jetë një sherr për pronat.

Siç shkruajnë mediat në Kosovë, i riu kishte disa ditë që ishte kthyer nga emigrimi. Policia njoftoi se ai është arrestuar, ndërsa hetuesit po vijojnë punën për të hedhur dritë mbi ngjarjen.

“Sot rreth orës 09:50 është raportuar për një rast vrasje në fshatin Kijevë-Malishevë. Në vendin e ngjarjes, menjëherë kanë dalë njësitet e nevojshme policore ku është gjetur një person mashkull (i moshës madhore dyshohej pa shenja jete). Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar, mashkull i moshës madhore. Rrjedha e mëtejme hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e shtetit në drejtim të veprës penale të vrasjes”