Kosovë: Pitbulli futet në ambientet e shkollës, kafshon nxënësit e policët, një 8 vjeçare e plagosur rëndë

Një incident i rëndë ka ndodhur në shkollën “17 Shkurti” në Suharekë të Kosovës, atje ku një qen pitbull ka hyrë në ambientet e shkollës dhe ka sulmuar disa nxënës e punonjës policie.

Ngjarja ka ndodhur ditën e mërkurë rreth orës 09:50, kur nxënësit janë kthyer nga pushimi i gjatë. Disa nxënës janë sulmuar e kafshuar, e mes tyre është plagosur rëndë një vajzë 8 vjeçare e cila është dërguar me urgjencë në spital.

Dy nxënës të tjerë janë trajtuar në qendrën mjekësore të Suharekës, ndërsa dy oficerë policie po ashtu janë lënduar.

Drejtoresha e shkollës Hidajete Bytyqi ka treguar për median vendase se qeni i ka ndjekur fëmijët kur kanë dalë të blejnë ushqim gjatë pushimit të gjatë.

“Knej rrugës duke ardhë (pasi kanë ble ushqim) i ka ndjek ai qeni, deri në oborr të shkollës. Fëmija tuj vrapu, edhe ai ka hy me atë fëmijë. E ka sulmu atë vajzën të parën. Kanë qenë kujdestarët, po ata derën e kanë mbyllë menjëherë. E kemi neutralizu, mos me lanë prapë me dalë jashtë – derisa erdhën Policia.” – ka treguar Bytyqi.

Qeni është vrarë me armë nga ana e oficerëve, ndërsa pronari i pitbullit është identifikuar e arrestuar. Ai do të përballet me akuza penale. Pas incidentit, mësimi është ndërprerë dhe nxënësit janë larguar në shtëpi.