KQZ i heq mandatin Fredi Belerit, Himara drejt zgjedhjeve të parakohshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë të premten vendimin për t’i hequr mandatin Fredi Belerit, i cili u zgjodh më 14 maj në krye të Bashkisë së Himarës, ndërsa dy ditë para rezultatit u arrestuar për blerje të votave.

Pas shqyrtimit të çështjes, KQZ vendosi që t’i heqë mandatin si kryebashkiak Belerit, i dënuar tanimë nga Apeli për krim zgjedhor.

Ilirjan Celibashi citoi ligjin e dekriminalizimit dhe tha se KQZ shpall të pavlefshëm mandatin e Belerit në krye të bashkisë së Himarës.

Kundër vendimit të KQZ-së Beleri ka 30 ditë kohë për apelim, ndërsa tanimë duket se në bashkinë e Himarës do të mbahen zgjedhje të reja për drejtuesin e bashkisë.

Kujtojmë se Beleri u dënua nga gjykata e shkallës së parë dhe më tutje nga ajo e Apelit për blerje të votave në zgjedhjet lokale të vitit 2023.

Gjatë betejës ligjore për bashkinë e Himarës, Beleri u vendos në listën e kandidatëve për eurodeputet të partisë ‘Demokracia e Re’ e kryeministrit grek Mitsotakis. Gjatë zgjedhjeve për Parlamentin Europian, Beleri arriti të fitojë postin e eurodeputetit.