Kretë: 39 vjeçari shqiptar i merr jetën partneres… viktima gjendet me një plumb në anë të veshit

Një krim i rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në Heraklion të Kretës, atje ku një 39 vjeçar shqiptar i ka marrë jetën partneres së tij me origjinë rumune.

Media greke shkruan se rreth orës 7:30 të mëngjesit një telefonatë është bërë në spital për ardhjen e një ambulance. Sipas asaj që ka mësuar media vendase, personi që ka marrë në telefon i ka treguar operatorit të urgjencës se “një grua është rrahur, sillni urgjencën”.

Kur ambulanca dhe policia kanë shkuar në vendin e ngjarjes në Patroklou, kanë gjetur të pajetë gruan, e cila rezultonte të ishte 29 vjeçare. E ndjera ishte qëlluar me armë në kokë, në pjesën e veshit.

“Ende nuk dihet nëse personi që bëri telefonatën ishte vetë autori i krimit. Fliste greqishte të mirë dhe telefonata ishte e shkurtër”-i tha një burim medias lokale, e cila publikoi dhe fotot nga vendi i ngjarjes.

39 vjeçari ndodhej ende në apartamentin në katin e dytë, atje dhe ku ndodhi vrasja. Policia e arrestoi shqiptarin, i cili pranoi se krimin e kishte kryer ai. Ende është e paqartë se cila ishte arsyeja dhe dinamika e ngjarjes kriminale.

Viktima u gjet e pajetë në divanin e dhomës së ndenjes. Sipas raportimit të medias vendase, ajo u gjet në një pellg me gjak dhe kishte një plagë në anë të kokës, ardhur nga një e shtënë e një arme zjarri.

Arma e krimit po ashtu u gjet në tavolinën e kuzhinës dhe kishte edhe 3 plumba të tjerë në karikator.