Kreu i Policisë së Shtetit: Ngjarja në Pogradec nuk ka lidhje me “gjobvënie”, konflikti ka qenë i çastit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, ka hedhur poshtë dyshimet e aludimet se vrasja e Egli Progës, ka ardhur si pasojë e orvatjes për gjobvënie nga ana e të dyshuarit kryesor të krimit, Denis Meçe.

Në një deklaratë për median, Rrumbullaku tha se ‘gjobvënia’ është një lajm i rremë, pasi konflikti mes 42 vjeçarit e autorit 29 vjeçar, ka qenë një konflikt i çastit.

“Ne këtu kemi të bëjmë me një rast fatkeq, ku viktima e autori nuk kanë asnjë lloj njohje dhe nuk kanë të bëjnë fare me lajmet që qarkullojnë në media për gjobëvënie. Është totalisht një konflikt i çastit, janë të dokumentuara të gjitha dëshmitë ”-tha Rrumbullaku.

Rrumbullaku doli në konferencë për media duke thënë se tanimë hetimi për veprimet e policisë së Pogradecit ka përfunduar. Sipas kreut të policisë, nuk janë gjetur shkelje në veprimet e procedurat e ndjekura nga policia, mbi rastin tragjik të vrasjes së babait të dy fëmijëve.

“Ka vijuar një dezinformim dhe keqinformim lidhur me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Pogradec ku humbi jetën një 42-vjeçar. Jam i detyruar të informoj publikun se aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga shefi i Komisariatit të Pogradecit është i pabazë. Është skandaloz pasi nuk ka asnjë provë. Në asnjë moment dhe asnjë rrethanë nuk është tentuar të fshihet apo të minimizohet ngjarje e rëndë. Është vlerësuar maksimalisht nga komisariati i Pogradecit. Është shkuar në vend ngjarje, janë sekuestruar kamerat e ambienteve përreth, janë shoqëruar disa persona, janë kryer veprimet e hetimeve. Si rezultat i veprimeve profesionale të kryera nga grupi hetimor, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes. Është identifikuar autori dhe arrestuar tre të tjerë për moskallëzim krimi. Drejtoria e Policisë Korçë ka dhënë njoftimin e parë zyrtarë, që për arsye të ndryshme u deformua dhe u mohua.”-tha Rrumbullaku.