Kryeplaku 29 vjeçar i fshatit akuzohet për abuzim me një vajzë, flasin nëna e autorit dhe viktimës

 Këtë të enjte autoritetet raportuan për një rast të rëndë në fshatin Rehova të Korçës, atje ku një vajzë 23 vjeçe dyshohet se u dhunua seksualisht nga kryeplaku i fshatit. Ky i fundit, 29 vjeçar në moshë, tanimë është ndaluar nga autoritetet.

Ndërkohë nëna e vajzës që dyshohet se është përdhunuar, ka folur për median. Ajo rrëfeu se kur hynë në shtëpi së bashku me të shoqin, e gjetën vajzën të zhveshur. Nëna tha se e bija është në gjendje të tronditur dhe se ndryshe nga çfarë është raportuar në media, vajza nuk ka probleme të shëndetit mendor.

“Ishim në arë, çupën e lëmë në shtëpi, erdhi burri e gjeti me djalin të zhveshur në korridor. Kishte pirë ai. Vajza nuk ka probleme mendore, është normale, me 2 klasë shkollë. Edhe vajza më tha që djali e zuri, vajza nuk donte. Nuk takoheshin më parë, hyrje dalje kishim si gjithë fshatarët. E gjeti burri dhe iku me vrap, e ndoqi burri që të flisnin të sqaroheshin, ai na shau. Skemi patur konflikte. Vajza sështë aq mirë se u trondit.”- thotë nëna e vajzës 23 vjeçe.

Por ndryshe e paraqet situatën nëna e 29 vjeçarit. Ajo tha për median se i biri nuk e ka përdhunuar 23 vjeçaren. Gruaja shton se vajza në fjalë vuan nga probleme të shëndetit mendor.

“Isha në një shoqe, vjen djali nga Korça, e pyeta pse je kështu bir i mamit? Më shau babai i vajzës dhe e godita njëherë tha. Tani e hapën namin sikur e ka përdhunuar. Djali im nuk ka bërë një gjë të tillë, kaq kam unë, kaq do iu them. Nuk di gjë se pse është zënë djali im me të atin e vajzës. Nuk ka kryer marrëdhënie, ishte pirë dhe kishte vajtur atje te shtëpia e tyre, i ati ishte vetëm. Nuk kemi patur probleme fare me ata. Vajza nuk është mirë nga mendja. Djali s’më tha asgjë tjetër, fjeti gjumë. S’kemi hyrje dalje me familjen tjetër. Djali nuk e pranon që ka kryer marrëdhënie, beqar është. Djali vajti vetë në polici”-tha ajo.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin E. Rr., 29 vjeç, banues në një fshat të njësisë administrative Vithkuq, Korçë, pasi dyshohet se më datë 08.04.2023, ka kryer marrëdhënie seksuale me një 23-vjeçare, e pazotë për t’u mbrojtur”, njoftoi më herët policia.