Kthehej nga dasma e të vëllait… si humbi jetën në Konispol 35 vjeçarja, nënë e tre fëmijëve

Adriana së bashku me familjarët sapo kishin festuar deri në orët e para të mëngjesit në dasmën e vëllait të 35 vjeçares dhe po ktheheshin në shtëpi. Por në orën 05:50 të mëngjesit të kësaj të hëne, në rrugën Krane-Qafëbotë, shoferi i automjetit ‘Volkswagen’ (bashkëshorti i Adrianës) ka humbur kontrollin e makinës. Për pasojë mjeti ka dalë nga rruga dhe është kthyer përmbys.

Viktimë e aksidentit mbeti 35 vjeçarja, ndërsa të lënduar i shoqi dhe një tjetër pasagjer që udhëtonte me çiftin Prendi. Adriana ishte nënë e tre fëmijëve.

NJOFTIMI I POLICISË
Rreth orës, 05:50, të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Krane-Qafëbotë, në dalje të Konispolit, automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin G. P., 43 vjeç, ka dalë nga rruga, dhe për pasojë ka humbur jetën pasagjerja, shtetasja A. P., 35 vjeçe, bashkëshortja e 43-vjeçarit, banuese në Konispol.
Si dhe ka pësuar dëmtime pasagjeri tjetër në këtë automjet, shtetasi E. G., 37 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punon për sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit, ku paraprakisht dyshohet se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga.